Fjala e Presidentit

Kultura mbetet përherë identiteti i një kombi, rrënjët dhe baza e tij, mbi të cilat projektohet aveniri, brez pas brezi. Hapërimet e kësaj nisme e kanë zanafillën në vitin 2013, si një kërkesë e një grupi intelektualësh për t’i dhënë jetë në të tjera dimensione artit, kulturës e letërsisë. Këto fusha do të bëheshin më pas kolona vertebrale e Fondacionit Kulturor “Harpa”.

 

Në vitet që jetojmë, padyshim që shoqëria shqiptare vazhdon të mbartë me vete një sërë problemesh ekonomike e sociale, çka ka sjellë edhe një zbehje të interesit në drejtim të artit, letërsisë, kulturës, në tërësi.

 

malindaPër të zgjuar dëshirat për kultivimin e artit, ne u përpoqëm të sjellim një vizion dhe një format krejtësisht të ri, duke e bërë qytetarin të integrohet si protagonist në aktivitetet tona. Në fokusin e këtij fondacioni, kanë qenë disa target grupe në klasifikime shtresore të ndryshme. Artdashës të thjeshtë, lexues nga më të zakonshmit, intelektualë të sferave të ndryshme, profesorë të fushave, akademikë, shkencëtarë, janë bërë bashkë në tryezat e organizuara nga Fondacioni “Harpa”, me një mision të qartë: për t’i kthyer vlerat e vërteta kulturës sonë, të lashtë sa vetë jeta njerëzore e këtyre trojeve. Ruajtja e autenticitetit, përcjellja e traditës, edukimi i brezave, por edhe vlerësimi i personaliteteve qendrore kulturëbërëse, kanë qenë kryefjala e këtij fondacioni.

Së bashku me Bordin Drejtues dhe Këshillin Konsulent të të Urtëve, ne kemi realizuar me sukses disa aktivitete me karakter kombëtar, siç është Panairi mbarëkombëtar i Librit në Fier, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Është një eveniment i përvitshëm, që ka çelur një dritare multikulturore brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.

 

Po ashtu, çmimet e përvitshme “Harpa” kanë vlerësuar personalitete të fushave të ndryshme, duke treguar mirënjohje ndaj themeluesve dhe ndërtuesve të kalasë sonë kulturore dhe jo vetëm.

 

Në të njëjtën kohë, aktivitetet tona nuk kanë rreshtur, duke u bërë pjesë e fushatave sensibilizuese për njerëz të artit në periudha të vështira shëndetësore, siç ishte rasti i aktores së mirënjohur, Hajrie Rondo apo dhe promovimi i krijimeve të ndryshme letrare, studimore, të autorëve: akademiku Ali Aliu, akademiku Jorgo Bulo, studiuesi Behar Gjoka, gazetari Carlo Bollino, publicisti Besnik Mustafaj etj.

 

Kemi realizuar me sukses të plotë disa konferenca shkencore. Në vitin 2014, përmendim konferencat: “Libri përballë sfidave bashkëkohore”, ku referuan profesorët Floresha Dado, Ymer Çiraku, Erestina Halili, botuesit Irena Toçi, Abdullah Zeneli etj., konferenca “200 vjet rilindasi i madh”, në nder të 200-vjetorit të lindjes së De Radës, ku referuan profesorët Klara Kodra, Shaban Sinani, Sadik Bejko, Hysni Ndreu, konferenca “Sterjo Spasse, autori i mbi 1000 personazheve”, ku referuan profesorët Ali Aliu, Ilinden Spasse, Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka.

 

Në vitin 2015, konferencat shkencore u shtrinë edhe në fusha e autorë të tjerë. Përmendim: “Libri shqip dhe problemet me tregun”, ku u diskutuan një sërë çështjesh, si: “Ka krizë leximi apo krizë cilësish e vlerash letrare”, “Raporti letërsi kombëtare – letërsi e huaj”, “Mungesa e kritikës letrare”, “Çfarë do të thotë të botosh sot”, “Cilët janë redaktorët e korrektorët dhe a i kanë shtëpitë botuese këta profesionistë”, “Pse kushdo boton çfarë mund”, “Pse humbi inkurajimi për talentet”, “Si t’ia kthejmë emrin letërsisë së vlerave” etj.

 

“Konica dhe Noli, dy personalitete miq dhe rival të përjeshtëm”, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Konicës, konferencë shkencore e mbajtur nga Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, Prof. Dr. Agim Vinca dhe studiuesi Behar Gjoka. Po ashtu, nuk kemi lënë jashtë vëmendjes një personalitet të poezisë, siç është Fatos Arapi. Në konferencën me temë: “Fatos Arapi, zëri qendror në poezinë shqipe’’, referuan akademiku Ali Aliu, profesorët Ymer Çiraku, Bashkim Kuçuku, Bardhosh Gaçe e Adem Xheladini.

 

Ne do të vazhdojmë misionin tonë në shërbim të kombit, duke zgjedhur rrugën e kulturës si ballina prezantuese e një vendi. Nisma të tilla që përbëjnë ngjarje madhore kulturore, kërkojnë padiskutim mbështetjen tuaj, andaj kontributi i secilit prej jush, edhe pse modest, do t’i shërbente më së miri objektivit tonë në krijimin e një pasaporte identitare për të gjitha trojet ku flitet gjuha jonë shqipe.

 

Ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve ju që keni kontribuuar deri tani dhe ju shpreh mirënjohjen time!
 

Faleminderit!

 

Majlinda Rama