Fondacioni Kulturor “Harpa” shpall fituesit e vitit 2018
Ka përfunduar edicioni i gjashtë i cmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si cdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.
Fjalën e hapjes e mbajti presidentja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit, shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.
Edhe prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit “Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreka, ka thënë se Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar kombetare që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo vetëm.
Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter festiv.
Më poshtë, emrat e fituesve dhe motivacionet:
ÇMIMI I MADH “HARPA”
AKADEMIA E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË
(Institucioni më i lartë i dijes)
ME MOTIVACION:
“Për kontribut të çmuar në ngritjen dhe thellimin e dijes, për arritje të veçanta në shkencën dhe kulturën kombëtare shqiptare”.
FATOS ARAPI
IN MEMORIAM
“Për kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë kombëtare. Personalitet i shquar i letrave. Ka lënë pas një trashëgimi të çmuar në mbarë kulturën shqiptare”.
NJERIU I VITIT 2018
DHIMITER GJOKA
ME MOTIVACION:
“Për kontribut në fushën e gazetarisë televizive. Prezantues që përçon profesionalizëm, besueshmëri dhe autoritet. Figurë dhe zë i dashur për publikun”.
SHKRIMTARI ME I MIRE I VITIT
VIRION GRAÇI
ME MOTIVACION:
“Shkrimtar me vlera të larta krijuese. Autor me individualitet krijues që ka krijuar kode unike ligjërimi, duke pasuruar prozën romanore shqipe”.
ÇMIMI I KARRIERËS
NIKOLLA LLAMBRO
ME MOTIVACION:
“Për galerinë e mrekullueshme të karaktereve njerëzore të krijuara, të përcjella mjeshtërisht përmes shumë roleve, si në jetën skenike, ashtu edhe atë kinematografike”.
ÇMIM SPECIAL
NDUE LAZRI
ME MOTIVACION:
“Transmetues i kulturёs shqiptare në botë. Koordinues i palodhur në funksion të integrimit të komunitetit shqiptar nё Itali, si dhe urё lidhёse me komunitetin e arbёreshёve”.
GAZETARI I VITIT
ERVIS KUÇI
ME MOTIVACION:
“Për kontribut të veçantë në fushën e gazetarisë. Gazetar korrekt dhe profesional”.
BALERINI I VITIT
ENDRI QENDRO
(Errik Nour)
ME MOTIVACION:
“Për talent të spikatur dhe interpretime komplekse. Shquhet për sinkronizim lëvizjesh dhe fuqi realizuese të figurave të vështira në skenë”.
GRUPI ARTISTIK MË I MIRË
ANSAMBLI “MYZEQEJA”
(Nën drejtimin e koreografit Besnik Zaimi)
ME MOTIVACION:
“Për punën e palodhur dhe talentin e admirueshëm të të rinjve, me kontribut të veçantë në ruajtjen e vlerave të patjetërsueshme të Myzeqesë”.
ÇMIMI I PUBLIKUT
REVISTA “PELEGRIN”
ME MOTIVACION:
“Për pasqyrimin me profesionalizëm të ngjarjeve kulturore e letrare, si dhe shpalosjen dhe promovimin e vlerave më të mira në fusha të ndryshme”.
ÇMIMI I PUBLIKUT
HASAN SELIMI
ME MOTIVACION:
“Për kontributin e dhënë në letrat shqipe dhe rolin e theksuar në shumë aktivitetete kulturore, brenda dhe jashtë vendit”.
ÇMIM SPECIAL
HASAN QYQALLA
“Për kontributin e dhënë në organizimin dhe kultivimin e vlerave kombëtare, gjuhës, traditës, kulturës dhe artit në botën e emigracionit dhe hapësirat kombëtare”.
ÇMIMI I PUBLIKUT
ISMETE LEBA
ME MOTIVACION:
“Përfaqësuese e denjë e zërit të autorëve shqiptarë në Itali. Vlerat e saj krijuese janë bërë pjesë e programeve shkollore në vendin fqinj”.
AKTORI I VITIT
LIGORAQ RIZA
ME MOTIVACION:
“Aktor me vlera e kontribut të vyer në kinematografi e teatër. Dallohet për stilin original”.
ÇMIMI HUMANISTI I VITIT
ÇEZAR RICA
ME MOTIVACION:
“Krijues dhe veprimtar. Ndikues në përhapjen dhe fuqizimin e jetës letrare. Njeriu që ktheu bibliotekën personale në bibliotekë publike, të hapur për të gjithë lexuesit”.
ÇMIMI AKTIVISTJA E VITIT
AURELA KONDURI
ME MOTIVACION:
“Ka dhënë ndihmesë të madhe në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në shtetin grek”.
ÇMIMI AKTIVISTJA E VITIT
FATBARDHA ALIMETAJ
ME MOTIVACION:
“Për organizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të ndryshme, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave kulturore të vendit”.