Çelet në Fier, në datat 11 – 14 Maj, në ambientet përpara ish-Turizmit, Panairi Kombëtar i Librit.
-Të ftuar do të jenë personalitetet më të njohura të letrave, shkrimtarë, poetë, akademikë,përfaqësues të medias e politikës, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia.
-Ceremonia e hapjes mbahet më datën 11 Maj, ora 11.00, ku do të marrin pjesë intelektualë, drejtues vendorë, përfaqësues e drejtues të Ministrive të Kulturës së Kosovës e Shqipërisë, deputetë të Kuvendit, etj.
-Për vizitorët, panairi do të jetë i hapur nga ora 09. 00 – 21.00.
Në qytetin e Fierit do të zhvillohet Panairi i Librit “Fieri 2017”, i cili, si cdo vit, organizohet nga Fondacioni Kulturor “Harpa’’ dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Fier, Drejtoria Arsimore Rajonale, Fier, Biblioteka Publike “Dritero Agolli”, Fier, etj. Ashtu sikurse edhe vitet e mëparshme, në këtë ngjarje mbarëkombëtare marrin pjesë rreth 100 botues, institucione kulturore, arsimore, klube shkrimtarësh, OJF, etj. të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe do të paraqesin në këtë panair, botime nga më të larmishmet nga letërsia artistike shqipe dhe e huaj, botime historike, studimore, publicistikë, enciklopedi, letërsi për fëmijë, fjalorë, albume, udhëzues, harta etj.
Disa nga të ftuarit: Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Klara Kodra, Hans Joachim Lanksch, Agim Vinca, Shefkije Islamaj, Luan Starova, Fatos Kongoli, Zejnullah Rrahmani, Moikom Zeqo, Sadik Bejko, Kujtim Shala, Ymer Çiraku, Bashkim Kuçuku, Viron Graci, Kujtim Rrahmani, Valbona Nathanaili, Ilinden Spasse, Diana Kastrati, Bardhosh Gaçe, Muharrem Jakupi, e shumë personalitete të tjera të letërsisë.
Në këtë Panair zhvillohen disa Konferenca të rëndësishme Shkencore, si: “110 vjet nga lindja e Mitrush Kutelit” – ku do të referojnë: Nasho Jorgaqi, Zejnullah Rrahmani, Kujtim Rrahmani, Behar Gjoka, Atalanta Pasko (Moderon – Petrit Nika).
“Libri i përkthyer, problematikat aktuale” – ku do të referojnë: Klara Kodra, Hans Joachim Lanksch, Bardhosh Gace, Abdulla Zeneli, Diana Kastrati, Valbona Nathanaili (Moderon Valbona Nathanaili). “Azem Shkreli, poeti i mendimit të thellë” – ku do të referojnë: Ali Aliu, Behar Gjoka, Adem Xheladini, Gentjan Banaj (Moderon Gentjan Banaj).
Përkujtojmë autorë shqiptarë dhe të huaj:“Data dhe Personalitete”- aktivitete në respekt të personaliteteve të njohura të letërsisë. Në një axhendë maratonë – autorë në përvjetorë lindjesh e vdekjesh.
Përmendim disa prej tyre: Miguel de Servantes (1547-1616), Johan Gëte (1749-1832), Henri Hajne (1797-1856), Viktor Hygo (1802-1885), Sharl Bodler (1821-1867), Pashko Vasa (1825-1892), Giosuè Carducci (1835-1907), Stefan Cvajk (1841-1942), Herman Hesse (1877-1962), Ndre Mjeda (1866-1937), Fan S. Noli (1882-1965), Lasgush Poradeci (1899-1987), Martin Camaj (1925-1992), Idriz Ajeti (1917), At Zef Pllumi (1924-2007), Nazim Hikmet (1902-1963), Alberto Moravia (1907-1990), Musine Kokalari (1917-1983), etj.
Do të bëhet promovimi i romanit të ribotuar, “Lulet e kripës” i shkrimtarit të njohur, JakovXoxa.Do të promovohen edhe shumë autorë të tjerë, si: Zija Cela, Ilirjan Zhupa, Hasan Qyqalla, Kim Mehmeti etj. Në mbyllje të Panairit do të jepen katër çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare.
Juria është e përbërë nga personalitete të fushës së letrave.
Për ata që duan të zbulojnë bukuritë e Fierit, guida turistike për të gjithë, çdo ditë, në Apoloni, Ardenicë, Bylis.
Kliko këtu për të lexuar programin e Panairit të Librit 2017