Për të pestin vit, Fieri bëhet mikpritës i panairit kombëtar të librit. Rreth 100 botues, institucione kulturore, arsimore, klube shkrimtarësh, OJF, etj, nga të gjitha trevat shqipfolëse gjatë katër ditëve prezantuan 1500 tituj librash nga të gjitha gjinitë. Në ceremoninë e hapjes presidentja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, u shpreh se “ky panair nuk është vetëm ekspozim librash, por një maratonë e gjatë aktivitetesh, takimesh, promovimesh, rrahje mendimesh, debate, tryeza, duke e kthyer Fierin 4 ditë në katër vatra që ziejnë pa ndalur art, kulturë dhe letërsi”. Panairi i librit organizohet çdo vit nga Fondacioni Kulturor “Harpa” dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Fier, DAR Fier dhe Biblioteka Publike e Qytetit etj.