ÇMIMET “HARPA” 2017 – vazhdim

Fondacioni “Harpa” ndan çmimet e vitit

Tri çmime In memoriam përkujtojnë Agollin, Lalon dhe Rondon
Edicioni i pestë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në një mbrëmje gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2017.
Në fjalën e çeljes së aktivitetit, presidentja e fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, u shpreh se aktivitete të tilla kanë si qëllim të promovojnë vlerat dhe kontribuesit e artit dhe kulturës kombëtare.
“Në hapësirën tonë shqipfolëse ka me dhjetra e qindra emra të spikatur në fushat ku ata veprojnë. Një pjesë e tyre, dalin jashtë vëmendjes vlerësuese për shkaqe harrimi. Ne po përpiqemi që t’u themi ‘Faleminderit!’, si emrave të shquar me kontribut disavjecarë, ashtu edhe disa të rinjve të talentuar që premtojnë në fushat ku ata janë të fokusuar. Kultura është identitet i një kombi, prandaj ajo duhet të ketë më shumë vëmendje se të gjithë sektorët e tjerë”, – ka vijuar ndër të tjera Rama.

Pas përshëndetjeve të rastit nga prefekti i qarkur Fier, Baki Bala, kryetari i qarkut Fier, Vangjel Ndreka etj, nisi ceremonia e dorëzimit të cmimeve.

Kështu, akademiku Ali Aliu dorëzoi çmimin e madh “Harpa” për aktoren Natasha Sela, si aktore e spikatur për interpretim me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike. Sela ndër të tjera falenderoi organizatorët ndërsa u përlot kur tha se çmimin ia dedikon te shoqit, aktorit të njohur, Fatos Sela, i cili nuk jeton më.

”Njeriu i vitit” u shpall publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, si promovues i vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, me një rol të veçantë në ndërveprimin e kulturave franko-shqiptare.
Studiuesi Nasho Jorgaqi dorëzoi çmimin për poetin më të mirë të vitit, i cili shkoi për poetin Faslli Haliti, si autor me individualitet të lartë krijues, i mendimit dhe mesazheve të fuqishme, me ndikim të cilësuar në letërsinë tonë kombëtare.

Për aktorin Todi Llupi do të jepej çmimi i karrierës me motivacionin: “Një nga emblemat e humorit shqiptar. Një jetë të tërë ka ditur t’i dhurojë publikut mbresa dhe kënaqësi gjatë interpretimit të tij, përmes dhjetëra karaktereve të papërsëritshme”.

Në këtë garë u vlerësua si gazetarja më e mirë e vitit, Alma Mile e gazetës “Panorama”, nën motivacionin “Për trajtesat e një korpusi të gjerë tematik dhe profesionalizmin e dëshmuar në evidentimin e lajmit kulturor në medien e shkruar”.

Aktorja më e mirë e vitit, aktorja Delinda Zhupa për cilësi në interpretimin e karaktereve të ndryshme dhe krijimin e personazheve të larmishme.

Institucioni më i mirë i vitit u shpall Biblioteka Publike e Fierit, si një institucion që ka organizuar dhjetra aktivitete librore gjatë këtij viti. Në të njëjtën kohë, u vlerësua piktorja e re Vitjola Stefani dhe baritoni Gëzim Xhaxhaj.

Veç shumë çmimeve të tjera, Fondacioni “Harpa” ndau edhe disa çmime In memoriam, në nderim të figurave që nuk jetojnë më, mes të cilëve poetit Dritëro Agolli, kompozitorit Aleksandër Lalo e aktores Hajrie Rondo.

Më poshtë po japim emrat dhe motivacionet:
NATASHA SELA
ÇMIMI I MADH “HARPA”
ME MOTIVACION:
“Aktore me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike”.

LUAN RAMA
NJERIU I VITIT
ME MOTIVACION:
“Personalitet i padiskutueshëm. Promovues i vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, me një rol të veçantë në ndërveprimin e kulturave franko-shqiptare”.

TODI LLUPI
ÇMIMI I KARRIERËS
ME MOTIVACION:
“Një nga emblemat e humorit fierak dhe shqiptar. Një jetë të tërë ka ditur t’i dhurojë publikut mbresa dhe kënaqësi gjatë interpretimit të tij, përmes dhjetëra karaktereve të papërsëritshme”.

FASLLI HALITI
POETI MË I MIRË
ME MOTIVACION:
“Autor me individualitet të lartë krijues, i mendimit dhe mesazheve të fuqishme, me ndikim të cilësuar në letërsinë tonë kombëtare”.

ALMA MILE
GAZETARJA MË E MIRË E VITIT
ME MOTIVACION:
“Për trajtesat e një korpusi të gjerë tematik dhe profesionalizmin e dëshmuar në evidentimin e lajmit kulturor në medien e shkruar”.

BIBLIOTEKA PUBLIKE “DRITËRO AGOLLI”
INSTITUCIONI MË I MIRË
ME MOTIVACION:
“Një nga institucionet lider në organizimin dhe promovimin e vlerave kulturore dhe artistike, duke sjellë për publikun krijimtari të larmishme të autorëve më në zë nga të gjitha trevat shqipfolëse”.

DELINDA ZHUPA
AKTORJA MË E MIRË
ME MOTIVACION:
“Aktore e re e talentuar. Dallohet për cilësi në interpretimin e karaktereve të ndryshme, për lojën e gjallë dhe krijimin e personazheve të larmishme, duke krijuar komunikim të veçantë me publikun”.

VITJOLA STEFANI
PIKTORJA E VITIT
ME MOTIVACION:
“Një piktore e re e talentuar. Këtë vit ka tërhequr vëmendjen, duke përdorur teknika të veçanta në artin pamor”.

GËZIM XHAXHAJ
ÇMIMI I PUBLIKUT
ME MOTIVACION:
“Për zërin virtuoz dhe bashkëpunimin që ka pasur me qytetin e Fierit, duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteve kulturore lokale”.

DRITËRO AGOLLI
IN MEMORIAM
“Për kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë kombëtare. Personalitet i shquar i letrave, duke na lënë pas një trashëgimi të çmuar në mbarë kulturën shqiptare”..

HAJRIE RONDO
IN MEMORIAM
“Një aktore e madhe, mjeshtre e aktrimit, që u bë e përjetshme me rolin e Tanës, por duke gdhendur dhe një mori të gjerë personazhesh të të gjitha tipologjive”.

ALEKSANDËR LALO
IN MEMORIAM
“Emër i shquar i muzikës shqiptare, duke i sjellë asaj një erë të re zhvillimi. Një kompozitor i shkallës sipërore, që krijoi kolanë të veçantë dhe në filmin shqiptar”.