UL SIPARIN PANAIRI KOMBETAR I LIBRIT “FIERI 2017”

Mbyllet me sukses Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2017”. Këtë vit pati më shumë interes nga lexuesi, më shumë aktivitete. Fitues të cmimeve letrare, tre ish-gazetar.
Ka ulur siparin Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2017”. Pas një axhende maratonë aktivitetesh, konferencash shkencore, simpoziume, takime letrare, tryeza diskutimi, festa te përbashkëta, është zhvilluar edhe ceremonia e ndarjes së cmimeve të këtij eventi të kthyer në madhështor, tanimë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, presidentja e Fondacionit Harpa, njëkohësisht drejtoreshë e Panairit të Librit ,Majlinda Rama, pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh se Fieri ka marrë këto ditë të gjitha tiparet e një qyteti që zien kulturë, letërsi dhe dije, duke e kthyer kryeqender dhe qytet të privilegjuar. “Është në nderin tonë që qytetin e  Fierit ta kthejmë, disa ditë në vit, në qytet që i gjallërohen rrugët nga mysafirët e ardhur prej të gjitha trevave shqipfolëse. Këto ditë, Fieri ka marrë të gjitha ngjyrat e një qyteti që dëshmon kulturë, letërsi dhe dije. Personalisht, falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe protagonistët e këtij aktiviteti me përmasa”, – ka vijuar Rama.
Edhe drejtori i Artit dhe Kulturës, Agron Xoxa, u shpreh se Bashkia Fier do të vazhdojë ta mbështesë këtë aktivitet, që i kthen qytetarët drejt librit.
“Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë panair e do të shohim të gjitha mundësitë për ta zgjeruar edhe më shumë atë”, ka thënë ndër të tjera Xoxa.
Panairi Kombëtar i Librit organizohet për të katërtin vit rresht nga Fondacioni Kulturor “Harpa” dhe mbështetet nga Bashkia e qytetit dhe Ministria e Kulturës.
Më herët, akademiku Ali Aliu u shpreh se  panairi i librit të Fierit është kthyer në pelegrinazh të autorëve nga mbarë trevat shqipfolëse.
“Unë e kam vlerësuar këtë panair si më të mirin që bëhet në Shqipëri, por edhe matanë kufijve. Është mbreslënës, gjithëpërfshirës, i larmishëm, befasues, serioz, me standarde, prandaj Majlindës meriton t’i thuhet faleminderit që po bën atë që s’po e bëjmë dot të gjitha ne institucionet shkencore apo edhe të tjera institucione të fushës së librit. Ky panair është kthyer në pelegrinazh të ne, autorëve e njerëzve të letrave”, është shprehur gjatë ditëve të panairit Aliu.
Juria e përbërë nga profesionistë të fushës studimore e letrare, si Klara Kodra -kryetare, Aliu Aliu – anëtar, Sadik Bejko – anëtar, Maku Pone- anëtar dhe Bujar Rama- anëtar, pas përshëndetjes së organizatores Rama dhe drejtorit të kulturës, Xoxa, zbuluan edhe emrat e fituesve të këtij edicioni të 4 të panairit.
Klara Kodra, në cilësinë e kryetares së jurisë u shpreh se në shumë kërkesa ishte e vëhstirë përzgjedhja, por juria u mundua të zgjedh sa më profesionalisht.
“Ishin paraqitur 148 libra për konkurrim. Ishin romane, vëllime poetike, studime, libra për fëmijë, publicistikë, e lloje të tjera krijimi, cka na obligoi të kemi një punë impenjative këto kohë. Pas selektimit kemi dalë në përfundimin se do të japim 4 cmime për fituesit dhe një cmim të vecantë”, ka thënë studiuesja Kodra.
Më poshtë po japim cmimet:
Vladimir Marku – Për romanin më të mirë, me motivacion: “Për romanin ‘Gladis’, i cili sjell një spektër të tërë ngjyrimesh emocionale dhe karaktere që nisin nga e veçanta për të prekur universalitetin”.
Erenestina Halili – Për librin poetik më të mirë, me motivacion: “Për vëllimin ‘Gjâma e erës’, i cili na çon nëpër kohë, duke na zbuluar gjurmët entografike të një të folmeje, gati të harruar e duke na sjellë një ritëm dhe muzikalitet të brendshëm. Rrëfim lirik që qëndron estetikisht mirë në këtë qasje”.
Monika Stafa – Për librin publicistikë/studimor më të mirë, me motivacion: “Për librin ‘Kod’, i cili vërtitet rreth një boshti që kërkon në hapësirat e vetvetes, ndikon në reflektimin drejt përsosjes individuale të qenies njerëzore”.
Shkëlzen Zalli – Libri më i mirë për fëmijë, me motivacion: “Për librin ‘Ditari i maces’, një libër me gjetje nga më interesantet, ku mishërohet fabula, loja dhe mendimi”.
Çmim i veçantë
Odise Plaku – me motivacion: “Për librin ‘Tri ndodhitë e Orikut’, i cili sjell me vete magjinë joshëse te fëmijët dhe gjallëron mendimet dhe përfytyrimin e lexuesit të vogël”.
Panairi i Librit “Fieri 2017”, organizohet nga Fondacioni “Harpa’’ dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Fier, Drejtoria Arsimore Rajonale, Fier, Biblioteka “Dritëro Agolli”, etj.  Në këtë ngjarje mbarëkombëtare morën pjesë rreth 100 shtëpi botuese, të cilat paraqitën botime të larmishme nga letërsia artistike shqipe dhe e huaj, historia, enciklopedia, letërsia për fëmijë, fjalorë, albume, udhëzues, harta etj.
Në këtë Panair u mbajtën disa konferenca të rëndësishme shkencore, si:  “110 vjet nga lindja e Mitrush Kutelit” ; “Libri i përkthyer, problematikat aktuale” ; “Azem Shkreli, poeti i mendimit të thellë” ; Tryeza mbi shkrimtarin Jakov Xoxa, si dhe u përkujtuan autorët: Miguel de Servantes , Johan Gëte , Henri Hajne, Viktor Hygo, Sharl Bodler , Pashko Vasa , Ndre Mjeda , Fan S. Noli, Lasgush Poradeci , Martin Camaj,  Idriz Ajeti, At Zef Pllumi, Nazim Hikmet, Alberto Moravia, Musine Kokalari , etj., u lexuan poezi e vargje nga autorë, si: Ilirjan Zhupa, Hasan Qyqalla etj.