Mbyllet Panairi i Librit “Fieri 2015”, ja fituesit
Është mbyllur me sukses PANAIRI I LIBRIT “FIERI 2015” i cili u mbajt nga datat 21 – 24 MAJ 2015 në qytetin e Fierit. Panairi i çelur në ambientet përpara Prefekturës së Fierit ka nisur me një seri aktitivitesh, simpoziumesh e promovimesh të autorëve të letërsisë shqipe, duke vënë në dukje problematikat e thella që has letërsia shqipe e traditës dhe ajo bashkëhore. Autorë të letërsisë shqipe e studiues të ftuar nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, i dhanë një frymë të re këtij panairi. Në fjalën përshëndetëse, presidentja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, falenderoi të gjithë botuesit, shkrimtarët, studiuesit e kritikët që u bënë aktorë të kësaj iniciative të rëndësishme në fushë e letrave, ndërsa u shpreh se Fondacioni të cilin ajo drejton, do të vazhdojë të jetë një mbështetës i të gjithë autorëve, pa dallim moshe e statusi, por duke i dhënë rëndësi vlerave të mirëfilta letrare e krijuese.
Juria e Panairit të Librit ” Fieri 2015″ përbëhej nga:
Akademiku Ali Aliu, kryetar
Akademiku Jorgo Bulo, anëtar
Studiuesi Hysni Ndreu, anëtar
Nasi Lera: Për romanin më të mirë
Çmimi për romanin më të mirë të vitit i jepet veprës “Të gjithë premtojnë Parisin”, e shkrimtarit Nasi Lera, me motivacion:
Një roman që kërkon të fshehë fytyrën e kohës së vet, duke zbuluar krizën e vlerave etike të shoqërisë së kohës, me një narracion të rrjedhshëm dhe tis poetik.
Maku Pone: Për poezinë më të mirë
Çmimi për vëllimin më të mirë poetik i jepet veprës me titull “Zjarri i hidhur”, e poetit Maku Pone, me motivacion:
Poezia e Maku Pones, në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë shqipe, kombinon me mjeshtëri figuracionin dhe kthjelltësinë e mendimit. Refleksi figurativ nuk e lëndon aspak boshtin refleksiv dhe lirik të kësaj poezie.
Rita Petro: Për krijimtarinë poetike
Çmimi i karrierës për krijimtarinë poetike i jepet poetes Rita Petro.
Krijimtaria poetike e Rita Petros, autore e disa vëllimeve poetike, shquhet për guximin krijues dhe intelektual, sidomos në fushën e emancipimit të gruas dhe shoqërisë në përgjithësi.
Fran Ukcamaj: Për romanin për fëmijë
Çmimi për romanin më të mirë për fëmijë i jepet veprës “Baca i Myzeqesë dhe Dardani i Reçakut”, i shkrimtarit Fran Ukcamaj, me motivacion:
Për zbulimin dhe skalitjen, përmes episodesh e situatash interesante letrare, të pasojave të luftës në Kosovë dhe të disa prej tipareve më të vyera të shqiptarit si, besa, mikpritja e trimëria.
Agim Vinca: Për përkthimin më të mirë të vitit
I jepet Prof. Agim Vincës, për përkthimin nga frengjishtja të romanit “Grahma e fundit”, të shkrimtarit Romain Gary, me motivacion:
Një prozë jodiskursive e një rrëfimi imagjinar, e dhënë me mjeshtëri në gjuhën shqipe.